Të hënën fillon etapa përmbyllëse e procesit më të madh gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Në këtë fazë, prokuroria, ekipet mbrojtëse dhe të pandehurit do të kenë mundësinë që për herë të fundit t’i paraqesin trupit gjykues argumentet dhe parashtrimet e tyre përfundimtare.
Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë mohuar duke i cilësuar si të pabazuara.
Edhe mbrojtja ka hedhur poshtë këto akuza, duke argumentuar se UÇK-ja nuk ka pasur një strukturë të organizuar komanduese dhe se krimet që i atribuohen katër të akuzuarve nuk janë të provuara.
Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë njoftuar se të gjitha konfirmimet për pjesëmarrje në seancat përmbyllëse janë dërguar tek personat që do të ndjekin procesin nga afër.
Seancat e deklaratave përmbyllëse janë caktuar të mbahen nga 9 deri më 13 shkurt në objektin e DHSK-së në Hagë.
Për shkak të interesimit të lartë, vendet në galerinë për publikun ishin të kufizuara, dhe jo të gjithë ata që kishin bërë kërkesë kanë mundur të marrin konfirmim.
Ata që nuk mund të marrin pjesë fizikisht në seanca, mund t’i ndjekin ato online, në gjuhët shqipe, angleze dhe serbe, përmes transmetimit në faqen zyrtare të DHSK-së, me një vonesë prej 45 minutash.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023, gati tre vjet pas konfirmimit të aktakuzës, ndërsa ky proces ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik në Kosovë dhe më gjerë.
Gjatë vitit të kaluar, janë organizuar pesë protesta në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së, në Prishtinë, Hagë, Tiranë, Strasburg dhe Shkup, ku mijëra qytetarë kanë kërkuar “Drejtësi për Çlirimtarët”. Një protestë e ngjashme pritet të mbahet në Prishtinë në përvjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.


























