Zyra e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Novi Pazar sot feston një vjetorin e hapjes. Koordinatorja e kësaj Zyre, Amina Nuraj, ka thënë për Radio Kosovën se në vitin e parë të funksionimit, kanë mbajtur disa aktivitete të rëndësishme, siç janë edhe kurset për mësim të gjuhës shqipe.
Në njëvjetorin e hapjes së Zyrës së Këshillit Kombëtar Shqiptar në Novi Pazar sot organizohen disa aktivitete duke përfshirë shpërndarje të mirënjohjeve për kontribuuesit e zyrës, muzikë me valle si dhe shtrimin e sofrës tradicionale të shqiptarëve e boshnjakëve në Sanxhak, ka thënë për Radio Kosovën udhëheqësja e zyrës, Amina Nuraj. Ajo është shprehur e kënaqur me aktivitetet e realizuara brenda një vjetorit të funksionimit.
“Kemi realizuar shumë projekte siç janë shpërndarja e dhuratave për fëmijët e Sanxhakut, kemi shtruar Sofrën e Sanxhakut, pastaj ekspozitën e fotove e teshave të vjetra të Sanxhakut. Kemi bërë edhe shpërndarjen e 50 çantave për fëmijët e Sanxhakut, si edhe projekte të tjera sikur ky organizimi sot”, tha ajo.
Nuraj ka thënë se njëri prej projekteve të suksesshme ka qenë edhe mbajtja e kurseve të gjuhës shqipe, për çka sipas saj, ka pasur mjaft interesim:
“Kemi mbajtur edhe kursin e gjuhës shqipe që nga muaji maj, tashmë nxënësit janë në nivelin A1 që do të përfundojmë shumë shpejt dhe do të nisim me A2. Ka mjaft interesim. Kemi gati 30 nxënës të moshave të ndryshme”, theksoi Nuraj.
Udhëheqësja e zyrës thotë se kanë përgatitur edhe projekte për vitin e dytë të funksionimit.
“Për vitin tjetër jemi duke planifikuar vizitën e Rrafshnaltës së Peshterit dhe shqiptarët e asaj ane të Sanxhakut. Kemi planifikuar edhe shumë projekte por do të shikojmë mundësitë e financimit.”
Për sa i përket financimit, Nuraj tha se një pjesë e kësaj zyre financohet nga qendra e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Bujanoc, pastaj nga donacionet prej mërgimtarëve, etj. E Qeveria e Serbisë sipas koordinatores Nuraj, nuk pranon të financojë këtë Këshill, ashtu siç i financon strukturat organizative të ngjashme nëpër Serbi.