Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar taksa të reja të importit prej 25% për makinat dhe pjesët e makinave që hyjnë në SHBA, një lëvizje kjo e cila përbën kërcënim për zgjerimin e luftës tregtare globale.
Tarifat e reja për bizneset që importojnë automjete, sikurse ka bërë me dije Trump, do të hyjnë në fuqi më datë 2 prill, ndërsa tarifat për pjesët janë vendosurtë hyjën në fuqi në muajin maj ose më vonë.
Presidenti pretendoi se masa do të çonte në “rritje të jashtëzakonshme” për industrinë e makinave, duke premtuar se do të nxiste vende pune dhe investime në SHBA.
Por analistët kanë thënë se masa ka të ngjarë të çojë në mbylljen e përkohshme të prodhimit të rëndësishëm të makinave në SHBA, rritjen e çmimeve dhe tendosjen e marrëdhënieve me aleatët.
SHBA importoi afërsisht tetë milionë makina vitin e kaluar, duke llogaritur rreth 240 miliardë dollarë në tregti dhe afërsisht gjysmën e shitjeve të përgjithshme.
Meksika është furnizuesi kryesor i huaj i makinave në SHBA, e ndjekur nga Koreja e Jugut, Japonia, Kanadaja dhe Gjermania. Lëvizja e fundit e Trump kërcënon të përmbysë tregtinë globale të makinave dhe zinxhirët e furnizimit.
Shumë kompani amerikane të makinave kanë operacione edhe në Meksikë dhe Kanada, të krijuara sipas kushteve të marrëveshjes së gjatë të tregtisë së lirë midis tre vendeve.
Shtëpia e Bardhë tha se urdhri do të zbatohet jo vetëm për makinat e përfunduara, por edhe për pjesët e makinave, të cilat shpesh dërgohen nga vende të tjera përpara se të montohen në SHBA.
“Megjithatë, tarifat e reja për pjesët nga Kanadaja dhe Meksika janë të përjashtuara ndërsa doganat dhe patrullat kufitare të SHBA-së kanë krijuar një sistem për të vlerësuar detyrimet”, tha Shtëpia e Bardhë.rtsh.