Qendra Kulturore për Fëmijë në Prishtinë ka nisur një kampanjë për të mundësuar Kinemanë dhe Teatrin e Hapur për Rininë një vend ku të rinjtë mbi moshën 10 vjeç mund të eksplorojnë botën e artit.
QKF po zhvillon fushatën nëpërmjet së cilës synohet të mblidhen fonde për krijimin e një vend lokacioni të ngrohtë, rekrativ dhe të përshtatshëm, ku fëmijët nga mosha 10 vjeç e tutje, mund t’i zhvillojnë aftësitë e tyre dhe të mësojnë më tepër për kinemanë dhe teatrin”, thuhet në njoftim.
Kjo fushatë, e nisur së fundmi në formatin e ngritjes së fondeve, synon të krijojë një hapësirë kulturore joformale të Kinemasë dhe Teatrit të Hapur të Prishtinës.
Kjo ide buroi nga nevoja që të rinjtë prishtinas, ndonëse me talente të shumta, si në muzikë, art e kulturë, kanë qenë në mungesë të një platforme ku do të mund t’i shprehnin talentet, t’i zhvillojnë aftësitë, si dhe të bashkohen dhe të punojnë në krijimine projekteve të reja.
Po ashtu në njoftim thuhet se kësaj kampanje mund ti bashkohen të gjithë duke dhuruar donacione.
“Donacionet tuaja do t’u ndihmojnë t’i marrin pajisjet teknike të nevojshme dhe të krijohet një hapësirë komode për fëmijë. Duke financuar këtë nismë, ju do të kontribuoni në pasurimin kulturor të të rinjve të Prishtinës, duke u ofruar atyre mundësi për të zhvilluar aftësitë e tyre, për të shprehur kreativitetin e tyre dhe për t’u angazhuar në art dhe culture”, thuhet në njoftim.
Ariana Kasapolli, drejtoreshë e Qendrës Kulturore të Fëmijëve, thotë se përkrahja e komunitetit, donatorëve do të ndihmojë në krijimin e një hapësirë të ngrohtë dhe mikpritëse për fëmijët dhe të rinjtë dhe do t’iu japë fëmijëve mundësinë të zhyten në botën e kinemasë dhe të ushqejnë talentet e tyre.