Shqipëria është në zi kombëtare sot dhe nesër për nder të shkrimtarit dhe akademikut Ismail Kadare, i cili u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 88-vjeçare.
Qeveria shpalli datën 2 dhe 3 korrik ditë zie kombëtare, ku flamujt në institucionet shtetërore dhe publike do të ulen në gjysmështizë.
Homazhet publike dhe ceremonia shtetërore do të organizohen në mjediset e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, ditën e mërkurë, nga ora 09:00 deri në orën 11:00 dhe nga ora 11:30 deri në orën 12:30. Për organizimin e homazheve dhe të ceremonisë shtetërore është ngritur një Komision i Posaçëm Shtetëror, nën mbikëqyrjen e Kryeministrit.