Ky nuk është më një incident, por një model sjelljeje që po rrënon besimin e qytetarëve dhe po e çon sistemin drejt shpërbërjes së plotë. Një shtet që nuk është në gjendje të zbatojë një vendim gjyqësor e ka humbur autoritetin. Kryeministri duhet t’i shkarkojë menjëherë përgjegjësit ose të marrë vetë përgjegjësinë, ka deklaruar presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq.
Policia e Malit të Zi ka shpallur sot në kërkim ish-prokuroren speciale shtetërore Lidija Mitroviq, e cila nuk është paraqitur për vuajtjen e dënimit me burg prej shtatë muajsh, dënim që i është shqiptuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Prokurorja i ka lënë familjes një letër, ku thekson se nuk mund të përballojë më padrejtësinë dhe se për këtë arsye ka vendosur të tentojë shmangien e vuajtjes së dënimit me burg.
Në fundjavën e kaluar, edhe Milosh Medenica, djali i ish-kryetares së Gjykatës Supreme të Malit të Zi, Vesna Medenica, i dënuar me 10 vjet burg për krijim të organizatës kriminale, kontrabandë, ndikim të paligjshëm dhe pengim të provave, ka ikur nga arresti shtëpiak dhe ndaj tij është shpallur poternicë.
Shpërbërja e sistemit
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, duke komentuar arratisjen e ish-prokurores së dënuar Mitroviq, ka deklaruar se ky rast përfaqëson një tjetër dëshmi të dobësive të thella të sundimit të ligjit në Mal të Zi.
“Kjo nuk është më një incident, por një model sjelljeje që po rrënon besimin e qytetarëve dhe po e çon sistemin drejt shpërbërjes së plotë. Një shtet që nuk është në gjendje të zbatojë një vendim gjyqësor e ka humbur autoritetin. Kryeministri duhet t’i shkarkojë menjëherë përgjegjësit ose të marrë vetë përgjegjësinë”, ka deklaruar Milatoviq.
Sipas tij, fakti që shteti nuk është në gjendje të dërgojë një person të dënuar në burg tregon se në vend nuk ka sundim të ligjit. Presidenti i Malit të Zi i ka bërë thirrje kryeministrit Milojko Spajiq që të sigurojë funksionimin e institucioneve, të cilat, sipas tij, po shpërbëhen para syve të qytetarëve.
“Nuk mund të fshihet më pas burokracisë, zinxhirëve të komandës apo frazave boshe. Ky është detyra e tij, kjo është Qeveria e tij dhe përgjegjësia e tij. Spajiq nuk bëri asgjë as kur u arratis Milosh Medenica”, ka kujtuar Milatoviq, duke kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të përgjegjësve.
Ai po ashtu ka ftuar prokuroritë që të nisin procedura për përgjegjësi penale. “Këtu nuk bëhet fjalë për neglizhencë në detyrë, por për krim dhe korrupsion. Dorëheqjet nuk janë më opsion, sepse janë të vonuara. Shkarkime të menjëhershme dhe njoftim publik se kush ka dështuar, kush ka qenë përgjegjës, kush ka kontrolluar dhe kush nuk e ka kryer punën. Drejtësia pa përgjegjësi nuk është drejtësi. Shteti pa përgjegjësi nuk është shtet. Kryeministri sot ka një zgjedhje: të shkarkojë përgjegjësit ose të marrë vetë përgjegjësinë”, ka porositur presidenti i Malit të Zi.
“Klap”
Avokati mbrojtës i ish-prokurores speciale Lidija Mitroviq, Zoran Piperoviq, ka deklaruar për mediat malazeze se nuk i kujtohet hera e fundit kur ka kontaktuar me klienten e tij, por se atëherë kishin diskutuar për ankesë kushtetuese.
“Ajo nuk më është lajmëruar, e kam lënë të qetë. Nuk do të spekuloja se është në arrati. Ndoshta ndodhet diku për mjekim. Edhe kjo është e pakonfirmuar… Nuk do të paragjykoja se është arratisur. Ajo është profesioniste, grua familjare, ka fëmijë. Edhe unë jam i befasuar”, ka deklaruar Piperoviq.
Ndryshe, Lidija Mitroviq është dënuar përfundimisht në fund të majit të vitit të kaluar me shtatë muaj burg për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin “Klap”. Pas shpalljes së aktgjykimit, ajo kishte kërkuar shtyrje të ekzekutimit të dënimit, kërkesë që, sipas policisë, nuk është aprovuar nga gjykata.
“Sipas urdhrit të Gjykatës Themelore në Podgoricë për sjellje me forcë të të dënuarës Lidija Mitroviq, e cila nuk u paraqit vullnetarisht për vuajtjen e dënimit, zyrtarët policorë kanë vizituar disa herë adresat e banimit dhe qëndrimit të saj, por ajo nuk është gjetur. Anëtarët e familjes kanë dhënë informacione kontradiktore për vendndodhjen e saj në Podgoricë ose Budva”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Pas verifikimeve, policia ka njoftuar gjykatën për zhdukjen e prokurores së dënuar, duke bërë të ditur se do të vazhdojë aktivitetet për gjetjen e saj dhe, përveç fletarrestit, do të aktivizojë edhe mekanizma të tjerë ligjorë për ta dërguar në vuajtje të dënimit.
Nga Lëvizja Qytetare opozitare URA është deklaruar se drejtuesit e Qeverisë dhe sektorit të sigurisë janë të paaftë ose dashakeq për të garantuar zbatimin e drejtësisë dhe sigurinë e qytetarëve. Duke komentuar edhe arratisjen e Milosh Medenicës, URA ka theksuar se dy rastet brenda vetëm shtatë ditësh janë tregues i rënies së plotë të sektorit të sigurisë dhe se askujt në pushtet nuk i shkon ndër mend të japë dorëheqje për arsye morale apo profesionale.
Tamara Nikçeviç është bashkëpunëtore e RTK-së dhe mbulon tema nga rajoni.


























