Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, gjatë një vizite zyrtare në Berlin, u prit nga Shefi i Mbrojtjes së Gjermanisë, Gjeneral Carsten Breuer me ç`rast nënshkruan një Marrëveshje Bilaterale në Fushën e Mbrojtjes dhe Sigurisë ndërmjet Ministrive të Mbrojtjes të të dy vendeve, transmeton KosovaPost.
Gjatë takimit bilateral, dy gjeneralët diskutuan sfidat globale dhe rajonale të sigurisë, duke theksuar nevojën për rritjen e bashkëpunimit ushtarak mes forcave të armatosura të Kosovës dhe Gjermanisë.
Marrëveshja e nënshkruar nga Jashari dhe Breuer, përfshin përkrahjen gjermane për Kosovën në ofrimin e mbështetjes politike, ushtarake dhe ligjore për FSK-në, duke mundësuar përfshirjen e saj në organizata ndërkombëtare.
Fushat e bashkëpunimit të përcaktuara nga kjo marrëveshje përfshijnë stërvitjet dhe trajnimet e përbashkëta, mbështetjen teknike dhe logjistike, si dhe aktivitete të tjera që fuqizojnë kapacitetet e mbrojtjes.
Kjo marrëveshje thekson rëndësinë e aleancës strategjike mes Kosovës dhe Gjermanisë, e cila vazhdon të luajë një rol kyç në zhvillimin dhe fuqizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.