Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një video konferencë me komandantin e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF), gjeneral major Jasper Jeffers III nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku u diskutuan koordinimet për dislokimin e FSK-së në rripin e Gazës.
FSK njofton se gjatë bisedës, gjeneral Jashari ka falënderuar gjeneralin Jeffers dhe, përmes tij, Ushtrinë e SHBA-së për ftesën drejtuar FSK-së për të marrë pjesë në këtë operacion ndërkombëtar.
Ai theksoi se FSK është një forcë profesionale, e trajnuar sipas standardeve të NATO-s, dhe është e gatshme të ofrojë siguri në kuadër të operacioneve ndërkombëtare sa herë që kërkohet nga partnerët strategjikë, përfshirë SHBA-në.
Në fund të konferencës, gjeneral Jeffers III ka vlerësuar gatishmërinë e FSK-së për të kontribuar në sigurinë në Lindjen e Mesme, duke e cilësuar Kosovën si një partner të besueshëm në promovimin e paqes dhe stabilitetit global.


























