Kryeministri, Albin Kurti, ka thënë se Kosova me ushtrinë e saj është e gatshme të marrë pjesë në Forcën Stabilizuese Ndërkombëtare në Gaza dhe ta ndihmojë popullin e Gazës.
“Në fund të janarit 2025 ndamë 500 mijë euro për ndihma humanitare për popullin palestinez në Gaza, sot ndërkaq në rend dite kemi propozim-vendimin nga Ministria e Mbrojtjes për të kërkuar nga Kuvendi i Republikës marrjen e vendimit për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në mision në Gaza si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese”, tha kryeministri.
Tutje, kreu i Qeverisë tha se vitin e kaluar, ministri Ejup Maqedonci e komandanti i Ushtrisë së Kosovës, Bashkim Jashari kërkuan lejen për pjesëmarrje në një konferencë në Doha të Katarit lidhur me Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese.
“Që sikurse e thotë edhe vetë emërtimi, ka për qëllim stabilizimin e mjedisit të sigurisë në Gaza. FSK-ja ka krijuar reputacion ndërkombëtar sa i përket aftësive të kërkim shpëtimit, deminimit, dhe jo vetëm. Ne jemi të gatshëm të marrim pjesë në Forcën Stabilizuese Ndërkombëtare dhe ta ndihmojmë popullin e Gazës edhe për shkak që vetë kemi qenë dhe jemi përfitues të Forcave Ndërkombëtare që nga viti 1999”, tha Kurti.


























