Ministri i Punëve të Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka mirëpritur furnizimin me pajisje të reja të Policisë së Kosovës.
Sveçla derisa ka shpërndarë pamjet e Policisë së Kosovës, ai ka shkruar se fuqizimi po bëhet çdo ditë.
“Policia jonë po fuqizohet për çdo ditë. Punë të mbarë policëve tanë”, thotë ministri përmes një postimi në Facebook.
PK thotë se këto masa synojnë të rrisin efikasitetin dhe efektivitetin e kryerjes së detyrave policore në interes të sigurisë së qytetarëve dhe vendit.
“Nga themelimi i saj, Policia e Kosovës ka ndjekur politika të vazhdueshme për përmirësimin e infrastrukturës policore, duke përfshirë furnizimin me automjete, që janë thelbësore për përmbushjen e misionit të saj”.
Përveç automjeteve patrulluese të zakonshme, PK ka blerë kohët e fundit automjete të blinduara dhe autoblinda, të cilat do të përdoren për nevoja specifike operacionale.
Policia e Kosovës do të vazhdojë me planifikimet për ngritjen e mëtejshme të kapaciteteve të saj në fushën e burimeve njerëzore, logjistikës dhe teknologjisë, duke synuar një përmbushje profesionale të misionit për ofrimin e sigurisë dhe ruajtjen e rendit kushtetues në vend.