Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, në kuadër të vizitës së tij në Türkiye është pritur në takim në Ankara nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu, transmeton KosovaPost.
Takimi Erdoğan-Gashi, i mbyllur për media, u zhvillua në Kompleksin Presidencial në Ankara, ndërsa i pranishëm ishte edhe kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Türkiyes, Numan Kurtulmuş.
Një delegacion parlamentar i Maqedonisë së Veriut, i kryesuar nga kryeparlamentari Gashi, nga sot deri më 5 tetor qëndron për vizitë në Türkiye.
Gjatë ditës së nesërme, siç njofton zyra e parlamentit maqedonas, Gashi do të pritet në takim nga homologu i tij turk, Kurtulmuş, pas çka do të kryesojnë një takim midis dy delegacioneve, si dhe më pas do të adresohen në një konferencë të përbashkët për media. Mysafiri gjithashtu do të ketë një fjalë përshëndetëse në seancën plenare të Asamblesë së Përgjithshme të Türkiyes.
Gjatë vizitës së tij në Ankara, Gashi do të zhvillojë një takim edhe me ministrin turk të Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, ndërsa më vonë do të udhëtojë në Istanbul, ku do të mbajë një fjalim para studentëve të Universitetit Marmara.