Bejtush Gashi, ish-ministër i Punëve të Brendshme u deklarua të enjten për arrestimin e dy të dyshuarve për spinuazh dhe për intervistimin e gruas së Radoiçiqit nga autoritetet e Kosovës. Ai tha se kjo është e natyrshëm nga ana e drejtësisë, kundër të gjithë atyre që shkelin ligjin.
“Kjo është çështje e organeve të ndjekjes që të merren me të gjithë ata që bëjnë shkelje dhe nuk respektojnë ligjet e Kosovës”, tha Gashi në “InfoPlus” në RTK.
Ndërkaq për qëndrimin e gruas së Radoiçiqit në Kosovë, Gashi tha se në shtetet demokratike përgjegjësia është individuale dhe Kosova, si shtet demokratik, kujdeset që përpara drejtësisë të vijnë ata që shkelin ligjin.
Kurse lidhur me arrestimin e dy shtetasve kosovarë në dyshimin për spiunazh, Gashi tha se funksionimi i institucioneve të inteligjencës është një veprimtari tepër komplekse dhe është vështirë për të nxjerrë një përkufizim të saktë për mënyrën e shtrirjes së aktiviteteve dhe të zhvillimeve.
“Duke iu referuar tensioneve që janë krijuar në Kosovë, përmes ndërhyrjeve të drejtpërdrejta të këtyre shërbimeve, mund të nxjerrim konkluzione se, fatkeqësisht Serbia ka qenë e pranishme në të gjitha fazat nëpër të cilat ka kaluar Kosova, përmes rrjeteve të saja, të ndërtuara më herët apo, eventualisht edhe me rekrutimin e anëtarëve të rinj”, deklaroi Gashi, teksa shtoi se dekonspirimi i këtyre informatorëve është punë komplekse për faktin se “nëse ndodhë kjo, atëherë janë të padobishëm edhe për institucionin, të cilit ata i shërbejnë”.