Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm Mircea Geoana, pas takimit me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-së Gabriel Escobar dhe Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë Miroslav Lajçak, ka theksuar se kanë biseduar për situatën në Kosovë dhe zhvillimet në rajonin e gjerë të Ballkanit Perëndimor.
Geoana theksoi përpjekjet intensive të kryera nga aleatët e NATO-s dhe Bashkimi Evropian për të zbutur tensionet e fundit, veçanërisht në veri të Kosovës.
Ai gjithashtu nënvizoi mbështetjen kryesore të ofruar nga misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO dhe misioni i Sundimit të Ligjit (EULEX) i udhëhequr nga BE-ja në çmontimin e suksesshëm të postblloqeve, të cilat kanë ndihmuar në rivendosjen e plotë të lirisë së lëvizjes nëpër Kosovë.
“KFOR-i mbetet jashtëzakonisht vigjilent dhe ka aftësinë dhe personelin për të vazhduar zbatimin e mandatit të tij plotësisht dhe në baza ditore, për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, tha Geoana, thuhet në një njoftim për media nga NATO-ja.
“Kjo i kontribuon sigurisë në Kosovë dhe stabilitetit në të gjithë rajonin. NATO gjithashtu vazhdon të mbështesë dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës – si platforma kryesore për të ndërtuar paqen dhe sigurinë e qëndrueshme në të gjithë rajonin – dhe të gjitha përpjekjet që synojnë avancimin e integrimit evropian dhe euroatlantik të Ballkanit Perëndimor”.
Sipas njoftimit, gjatë vizitës së tyre, Escobar dhe Lajçak informuan gjithashtu ambasadorët e NATO-s mbi përpjekjet dhe angazhimet e tyre diplomatike reciprokisht përforcuese me të gjitha palët në rajon.