Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në Forumin e Dubrovnikut ka kritikuar qasjen e Bashkimit Evropian (BE) për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Gërvalla ka thënë se atje ka ndodhur një akt i hapur agresioni kundër Republikës së Kosovës, derisa, sipas saj, Shtetet e Bashkuara e kanë emëruar ashtu siç është, BE nuk e ka bërë një veprim të tillë.
“Sa i përket Banjskës dhe mos dënimit të Radoiçiqit e as ndalimit të tij, do të doja të dëgjoja një koment nga z.O’Brien dhe z.Lajçak, sepse ne në Kosovë e kemi thënë qartë – është akt i hapur agresioni kundër Republikës së Kosovës. Kjo duhet të emërtohet ashtu siç është, Shtetet e Bashkuara e kanë bërë, por jo edhe Bashkimi Evropian”, ka deklaruar ajo.
Më tej shefja e diplomacisë kosovare ka thënë se “është fakt se ky lidership i Serbisë nuk është distancuar nga e kaluar dhe e ka lejuar që rajoni të ndikohet nga e kaluara”.