Gërvalla: Ndërkombëtarët të dënojnë gjuhën agresive të Vuçiqit ndaj Kosovës

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, u ka bërë thirrje partnerëve ndërkombëtarë ta dënojnë gjuhën agresive dhe armiqësore të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përcjell KosovaPost.

Kryediplomatja kosovare e ka quajtur “skenë teatrale” konferencën e djeshme të Vuçiqit, në të cilën prezantoi pesë masa që shteti i tij do t’i ndërmarrë “pas tensioneve të fundit” në veri të Kosovës.

“Loja sistematike e Serbisë me serbët në Kosovë, presioni deri në ushtrim të hapur të dhunës përmes strukturave ilegale dhe grupeve kriminale, keqpërdorimi dhe vjedhja masive e fondeve, të cilat kinse ndahen për ta, pengimi i integrimit në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës, serbëve në veri dhe familjeve të tyre ua ka vështirësuar jetën për vite të tëra”, tha ajo

Sipas saj, përmes shpalljes së djeshme teatrale të Kosovës si zonë të veçantë sociale, Vuçiçi synon përfitime edhe më të larta për veten dhe klanet rreth tij nga fondet në emër të serbëve të Kosovës.

“Që transparenca e këtyre fondeve është zero dhe keqpërdorimet janë masive, mjafton të shohësh vilën luksoze të Radojçiçit tek Ujmani, e cila është ndërtuar me para të ndara gjoja për serbët lokal”, theksoi ajo.

Duke shtuar se deklarata e tij për kinse shpalljen si të paligjshme të të gjitha organeve të institucioneve në Kosovë, është përpjekje e dëshpëruar për të sabotuar Pavarësinë e Kosovës.

“Synimi është pengimi i normalizimit të marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, mbajtja gjallë e tensioneve në rajon, pengimi i proceseve integruese, në sinkron të plotë edhe me interesat e Rusisë. Kosova, si shtet sovran dhe i pavarur, me territor të mbrojtur dhe integritet territorial të pacënueshëm, si shteti me demokracinë më të konsoliduar në rajon, si vendi me rritjen më të lartë ekonomike në rajon, si shteti i qytetarëve të saj, sot është më e fortë se asnjëherë më parë. Faktorëve ndërkombëtarë u bëjmë thirrje të dënojnë me gjuhë të qartë dhe qëndrime të vendosura qasjen, sjelljen dhe gjuhën agresive dhe armiqësore të Aleksandër Vuçiqit karshi Republikës së Kosovës”, tha ajo.

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish

Tjera nga rubrika