Një zyrtare e Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë u shpreh “e tronditur” për vdekjen e gjashtë foshnjave që u ngrinë për vdekje në Gaza mes bllokadës çnjerëzore të Izraelit në pjesën veriore të enklavës, raporton Anadolu, transmeton KosovaPost.
Zv.zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, Kathrin Deschauer, duke folur në një konferencë për media në Berlin mbi raportimet për “situatën dramatike” të fëmijëve të vegjël dhe foshnjave, u shpreh se “këto sigurisht janë raportime tronditëse”.
Duke pasur parasysh rrethanat “që fëmijët e vegjël dhe foshnjat janë në një situatë kaq të vështirë, që nuk u arrin ndihma e mjaftueshme humanitare, se janë të uritur, të etur dhe të ftohtë, është tronditëse”, shtoi ajo.
Deschauer “u bëri thirrje autoriteteve izraelite që të sigurojnë qasje humanitare” për popullsinë në Gaza.
“Qeveria Federale po bën thirrje dhe e ka bërë këtë për një kohë të gjatë, duke përfshirë edhe thirrje të këtilla dramatike, që Izraeli t’u përmbahet kërkesave të ligjit ndërkombëtar”, tha ajo.
Të paktën gjashtë foshnja kanë vdekur deri më tani për shkak të të ftohtit të rëndë dhe mungesës së ngrohjes në tendat e refugjatëve në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, tha Ministria e Shëndetësisë.
Ushtria izraelite ka vazhduar një ofensivë brutale në Rripin e Gazës duke vrarë rreth 45.500 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor të vitit të kaluar, pavarësisht nga një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.
Tel Avivi ka vendosur një bllokadë shkatërruese në Gaza, duke e lënë popullsinë 2,3 milionëshe në prag të urisë.
Muajin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli po përballet gjithashtu me padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për veprimet e tij në Gaza.