Koalicioni qeverisës në Gjermani ra dakord të enjten që të forcojë masat për sigurinë si dhe politikat për dhënien e azilit, pas një sulmi vdekjeprurës të lidhur me grupin militant Shteti Islamik që ka ndezur edhe më shumë kundërshtitë e së djathtës së skajshme dhe kritikat ndaj autoriteteve berlineze rreth qasjes së tyre mbi politikat e emigracionit.
Tre persona u vranë dhe tetë të tjerë u plagosën në sulmin me thikë gjatë një festivali që shënonte 650 vjetorin e qytetit të Solingenit. Ngjarja ka shtuar mosmarrëveshjet politike mbi rregullat e azilit dhe dëbimit në prag të zgjedhjeve vendore që pritet të mbahen muajin e ardhshëm, pasi i dyshuari ishte një azilkërkues nga Siria, të cilit i ishte refuzuar kërkesa.
Masat e reja përmbajnë rregulla më të forta për armët, përfshirë rregullat për zotërimin e një arme, ndalim të mjeteve mprehëse dhe ndalim absolut të thikave në ngjarje publike, si festivale, ngjarje sportive apo tregtare.
Oficerët federalë të ligjit do të autorizohen të përdorin pistoleta elektrike.
Mes organeve që do të bëjnë kontrollin e sigurisë së individëve që duan leje armëmbajtjeje do të përfshihen agjenci të reja federale për të parandaluar që ekstremistët të pajisen me armë.
Berlini do të forcojë gjithashtu ligjet dhe procedurat për azilin dhe lejen e qëndrimit, duke përfshirë në kategorinë e “dëbimit të rëndë” rastet kur i dëbuari ka kryer një krim me armë ose mjet të rrezikshëm.
Kriteret për heqjen e statusit azilantit ose refugjatit do të forcohen.
Azilkërkuesit do të përjashtohen nga e drejta për të siguruar përfitime në Gjermani nëse rezulton se kanë kërkesa në vende të tjera evropiane. Refugjatët që udhëtojnë në vendet e tyre pa arsye bindëse rrezikojnë të humbasin statusin e tyre të mbrojtjes, thuhet në dokument.
Ky rregull nuk do të zbatohet për refugjatët ukrainas, theksohet në dokument.
Qeveria do të nxisë Sistemin e Përbashkët Evropian të Azilit të ndërmarrë reforma duke thjeshtuar transferimet dhe dëbimet dhe gjithashtu do të kërkojë të mundësojë dëbimin e individëve që kanë kryer krime të rënda ose konsiderohen si kërcënim terrorist.
Dokumenti përmban gjithashtu masa për të luftuar “islamizmin e dhunshëm”, duke u lejuar autoriteteve të zbatimit të ligjit të përdorin të dhëna biometrike nga burime në internet, të aksesuseshme publikisht, për të bërë të mundur identifikimin e të dyshuarve.
Qeveria do të forcojë autoritetin e agjencive vendase të zbulimit në rastet e hetimeve financiare dhe do të vazhdojë të ndalojë organizatat islamike, thuhet në dokumentin qeveritar./voa