Gjermania kritikoi sot vendimin e Hungarisë për t’u larguar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GjNP), raporton Anadolu, transmeton KosovaPost.
“Kjo është një ditë e keqe për të drejtën penale ndërkombëtare”, u tha ministrja e Jashtme Annalena Baerbock, gazetarëve në Bruksel në margjinat e një takimi të ministrave të jashtëm të NATO-s.
“Evropa gjithashtu ka rregulla të qarta këtu që zbatohen për të gjithë anëtarët e BE-së, dhe ky është Statuti i Romës. Unë e kam bërë të qartë në mënyrë të përsëritur se askush në Evropë nuk është mbi ligjin dhe kjo vlen për të gjitha fushat e ligjit”, shtoi ajo.
Statuti i Romës është traktati që themeloi gjykatën.
Sipas statutit, GjNP-ja mund të hetojë dhe ndjekë penalisht katër krime thelbësore ndërkombëtare – gjenocid, krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe krime agresioni – në rastet kur shtetet janë “të paafta” ose “nuk dëshirojnë” ta bëjnë këtë.
Hungaria njoftoi sot vendimin e saj për t’u larguar nga GjNP-ja, që përkon me mbërritjen e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në atë vend për një vizitë katërditore.
Vizita e Netanyahut shënon herën e parë që ai ka shkelur në tokën evropiane që kur GjNP-ja lëshoi një urdhër arresti për të në nëntor me akuza për krime lufte në Gaza.
Grupet e të drejtave të njeriut, duke përfshirë “Amnesty International” dhe “Human Rights Watch”, i kanë kërkuar Hungarisë që të arrestojë Netanyahun dhe t’ia dorëzojë GjNP-së.
Kancelari gjerman Olaf Scholz tha sot se ai nuk pret që Netanyahu të përballet me arrestimin në Gjermani, pavarësisht urdhrit të GjNP-së.
Kancelari i ardhshëm gjerman, konservatori Friedrich Merz, tha gjithashtu se do të dëshironte të presë Netanyahun në Berlin.
Gjermania është e detyruar ligjërisht të bashkëpunojë me GjNP-në, duke përfshirë ekzekutimin e fletarresteve, si nënshkruese e Statutit të Romës që nga viti 1998 dhe pasi e ka ratifikuar atë në vitin 2000.