Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar për taksa të reja të importit prej 25% për makinat dhe pjesët e makinave që vijnë në ShBA.
Ai tha se tarifat e fundit do të hyjnë në fuqi më 2 prill, me tarifat për bizneset që importojnë automjete të fillojnë të nesërmen. Taksat për pjesët janë vendosur të fillojnë në maj ose më vonë.
Presidenti shtoi se masa do të çonte në “rritje të jashtëzakonshme” për industrinë, duke premtuar se do të nxiste vende pune dhe investime në ShBA.
Nga ana tjetër, Gjermania ka thënë se “nuk do të dorëzohet” dhe se Evropa duhet “të përgjigjet me vendosmëri”, raporton BBC, transmeton Klan Kosova.
Ekonomitë e tjera të mëdha botërore janë zotuar të hakmerren, me Francën që e quajti lëvizjen “lajm shumë të keq”, Kanadaja e quajti “sulm të drejtpërdrejtë” dhe Kina duke akuzuar Uashingtonin për shkelje të rregullave të tregtisë ndërkombëtare.
Të enjten, aksionet në Frankfurt për Porsche, Mercedes dhe BMW ranë ndjeshëm së bashku me firmën franceze Stellantis, prodhuesi i Jeep, Peugeot dhe Fiat.
Trump ka kërcënuar se do të vendosë tarifa “shumë më të mëdha” nëse Evropa punon me Kanadanë për të bërë atë që ai e përshkruan si “dëm ekonomik” për ShBA-në.
I pari i ShBA-së ka theksuar prej kohësh se tarifat janë pjesë e një përpjekjeje për të ndihmuar prodhimin amerikan dhe se nëse makinat prodhohen në Amerikë, nuk do të ketë “absolutisht asnjë tarifë”.