Nga Donik Sallova
Pas përfundimit të misionit të ICO-së në shkurt të vitit 2012 si mbikëqyrëse e pavarësisë së Kosovës, Gjykata Kushtetuese në krye me Enver Hasanin e morën përsipër zëvëndësimin e kësaj strukture ndërkombëtare që e mbante të kushtëzuar pavarësinë me besnikërinë e zbatimit të kompromiseve të Ahtisaarit.
Praktikisht këta u bënë përfaqësuesit vendorë të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë.
Por, kompromiset e elitës politike në Kosovë vazhduan përtej atyre të Ahtisaarit, ku përmes dialogut të Brukselit u cënua në vazhdimësi sovraniteti dhe sistemi politik unitar i Kosovës.
Gjykata Kushtetuese në masë të madhe u ka shërbyer këtyre proceseve politike ndërkombëtare që gradualisht po e gërryenin sovranitetin e Kosovës duke çuar kah Atisaari Plus dhe një sistem politik autonom serb në Kosovë. Lista Serbe si instrument zyrtar i Beogradit, produkt i dialogut të Brukselit, tanimë po synohet të kthehet në normë kushtetuese që kushtëzon (veto serbe) themelimin e institucioneve shtetërore.
Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë që të shkëputet nga Enverizmi (Hasani) si një filozofi e shndërrimit të Gjykatës në shërbim të kompromiseve desovranizuese dhe të kthehet në institucionin që mbi të gjitha ka për detyrë të mbrojë pavarësinë, sovranitetin, unitaritetin dhe demokracinë e Republikës së Kosovës!


























