Gjykata Kushtetuese ka publikuar aktgjykimin e plotë lidhur me rastin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke konstatuar se seanca konstituive nuk ka përfunduar për shkak të moszgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb. Deputetët obligohen, siç thuhet, që ta përfundojnë seancën konstituive brenda afatit të mbetur prej 12 ditësh nga hyrja në fuqi e vendimit.
Vendimi, i publikuar më 8 tetor 2025, ka shpallur të pranueshme kërkesën e parashtruar nga Igor Simiqi dhe nëntë deputetë të tjerë, lidhur me kushtetutshmërinë e procesverbaleve dhe vendimeve të marra gjatë seancave konstituive të 26 dhe 28 gushtit 2025.
Sipas Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi (tashmë i shpërbërë) nuk është konstituuar në pajtim me Kushtetutën, pasi nuk është zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb, i cili është anëtar i domosdoshëm i Kryesisë së Kuvendit. Gjykata thekson se nënkryetarët nga komunitetet joshumicë zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve, ndërsa propozimi duhet të vijë nga shumica e deputetëve të komunitetit përkatës.
Kushtetuesja sqaron se procedura e zgjedhjes së Emilija Rexhepit nënkryetare nga komunitetet tjera nuk ishte në kundërshtim me Kushtetutën, por nënvizon se për komunitetin serb propozimi duhet të bëhet nga shumica e deputetëve të atij komuniteti. Po ashtu, thuhet se votimi në pako për nënkryetarë nuk është obligim kushtetues dhe mund të bëhet vetëm nëse ka dakordim mes deputetëve.
Gjykata rikujton se Rregullorja e Kuvendit parasheh mekanizma debllokues, përfshirë procedurën e shortit dhe mundësinë e votimit deri në tri herë për të njëjtin kandidat. Megjithatë, dështimi për të siguruar shumicën e nevojshme përbën mos përmbushje të detyrimit kushtetues për përfundimin e seancës konstituive.
Sipas aktgjykimit, Kuvendi mund të funksionojë përjashtimisht edhe pa njërin anëtar të Kryesisë vetëm në rrethana të caktuara, por Gjykata vlerëson se kjo nuk vlen për rastin konkret, pasi dështimi i konstituimit i atribuohet mosvotimit të kandidatëve të propozuar.
Gjykata u bën thirrje deputetëve që të veprojnë në frymën e bashkëpunimit konstruktiv dhe mirëbesimit, duke marrë pjesë në votim për zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb, në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
Ajo thekson se përfaqësimi i komuniteteve joshumicë në Kuvend dhe në Kryesi është detyrim kushtetues dhe parakusht për konstituimin e Kuvendit.
Në fund, Gjykata urdhëron që seanca konstituive, e nisur më 15 prill 2025, të përfundojë brenda 12 ditëve, duke rikujtuar se çdo bllokim institucional është në kundërshtim me rendin kushtetues dhe parimet e sundimit të ligjit.


























