Është mbajtur Seanca e Përgjithshme e Gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, e drejtuar nga kryetari, Fejzullah Rexhepi, me pjesëmarrje të gjyqtarëve, përfshirë ata nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës, transmeton KosovaPost.
Përmes një komunikate për medie Gjykata Supreme njofton se gjatë kësaj seance janë diskutuar dhe miratuar katër mendime juridike, një udhëzues dhe një qëndrim parimor.
“Mendimi Juridik për përfundimin e procedurës kontestimore me aktgjykim në bazë të pohimit, heqjes dorë nga kërkesëpadia, pajtim gjyqësor dhe marrëveshje të arritur në procedurën e ndërmjetësimit; -Mendimi Juridik lidhur me parashkrimin fitues; Mendimi Juridik për të mitur; Mendimi Juridik lidhur me çështjen e aktakuzave; Udhëzuesi për Pastrim të Parave dhe Qëndrimi Parimor lidhur me kompetencën lëndore, për të gjykuar/vendosur për propozimin për përsëritje të procedurës”, thuhet në komunikatë.
Tutje bëhet e ditur se gjyqtarët e Gjykatës Supreme arsyetuan nevojën për nxjerrjen e këtyre dokumenteve, pas analizimit të praktikës gjyqësore në instancat më të ulëta gjyqësore dhe në fazat e hetimit të çështjeve.
Më tej thuhet se, bazuar në agjendën e seancës, është miratuar edhe ndryshimi i ‘Planit dhe Programit të Punës së Gjykatës Supreme’, në të cilin u përfshinë tre gjyqtarët e rinj, Qerim Ademaj, Faton Bajrami dhe Faton Ademi, të avancuar në Gjykatën Supreme.



























