Merkato i dimrit të futbollit në Turqi ka filluar pikërisht sot dhe do të mbyllet më 11 shkurt. Pra, në Super Lig, që nga sot, klubet mund të shesin dhe blejnë lojtarë të rinj. Po ashtu, disa skuadra të mëdha të kampionatit turk po përfundojnë disa bisedime që kanë nisur disa ditë më parë.
Galatasaray ka hedhur një hap të madh në treg, duke pasur nevojë patjetër për të afruar një mesfushor dhe një sulmues, me dëmtimin e Mauro Icardi-t që ka tronditur ekuilibrat e skuadrës.
Ndër objektivat që kanë përfunduar në shënjestër të klubit turk është edhe një protagonist i “Tripletës” së Manchester City-t, i cili është kthyer në krahët e Guardiola pas një përvoje të shkurtër në Barcelonë: bëhet fjalë për Ilkay Gundogan, mesfushorin gjerman 34-vjeçar.
Sipas një nga gazetave më të përhapura në Angli, “The Sun”, Galatasaray ka bërë një ofertë për lojtarin. Propozimi për një kontratë dyvjeçare për të veshur fanellën e “Luanëve”, aktualisht në krye të Super Lig, është 150,000 paundë në javë.
Momentalisht, Gundogan nuk po kalon sezonin e dëshiruar te Manchester City, megjithëse ka shprehur dëshirën për t’u rikthyer të luajë në Etihad dhe, duke ecur drejt perëndimit të karrierës, duhet të marrë një vendim: të bashkohet me një kauzë të re ose të tërhiqet nga futbolli.
Sipas tabloidit anglez, nëse ai vendos të varë këpucët, do të ndiqte rrugën për t’u bërë trajner dhe do t’i bashkohej stafit teknik të Pep Guardiolës si një nga ndihmësit e tij.s.n.