Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza është pyetur nëse si parti politike do ta mbështesin presidenten aktuale Vjosa Osmani edhe për një mandat tjetër.
“Përveç vullnetit është edhe procedura. Për me qenë kandidate apo kandidat duhet të plotësohen edhe kushtet formal-juridike, 30 nënshkrime, duhet të jenë dy kandidatë me nga 30 nënshkrime.”
“Edhe duhet të jenë 80 deputetë në sallë që votojnë. Nuk ka ndonjë kandidaturë zyrtare që i ka 30 nënshkrime dhe janë deponuar ato nënshkrime në Kuvend që të mund të procedohet tutje”, ka thënë ai.
Panduri ka shtuar se, duke pasur parasysh që presidentja Osmani mori pjesë në marshin “Drejtësi, jo politikë”, dhe që ka biseduar me Trump për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë, a mund të llogarisë ajo në 22 nënshkrimet e PDK-së.
“Unë thashë që PDK nuk i ka numrat e mjaftueshëm që me dhënë kandidatin e vet, duhen edhe tetë. Edhe nëse i ka të siguruara ajo tetë, prap nuk e ka të garantuar që i merr nënshkrimet e PDK-së.”
Hamza ka rikujtuar se presidentja Osmani është zgjedhur me propozim të Lëvizjes Vetëvendosje dhe me mbështetjen e LDK-së.
“Deri më datën 28 dhjetor ka bërë veprime të cilat i kanë shkuar në favor të LVV-së”, ka thënë ai në “Debat Plus”.


























