Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, është deklaruar për media, me ç’rast ka thënë se ka ofruar një mundësi konkrete dhe të fundit për të shmangur zgjedhjet e reja.
“Për këtë çështje, pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike gjatë ditës së sotme, ne si PDK po ofrojmë edhe një mundësi konkrete dhe të fundit për të shmangur zgjedhjet e reja. Kërkuam që të zgjidhet presidenti i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, me qëllim garantimin e stabilitetit institucional dhe tejkalimin e ngërçit politik. Me këtë ofertë, të bërë në frymën e përgjegjësisë dhe për të mos lënë vend për krizë të panevojshme, Kryesia e Partisë Demokratike vlerëson se kontributi ynë në këtë proces është përmbushur.
Të nderuar përfaqësues të mediave, sot është 28 shkurt. Kanë kaluar dy muaj nga zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe më shumë se dy javë nga votimi i Qeverisë Kurti 3”, theksoi ai.
“Kjo është dita e fundit e muajit dhe kanë mbetur edhe katër ditë deri në përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit.
Në këtë kontekst kohor, është legjitime të shtrohet pyetja nëse takimet e minutës së fundit po zhvillohen për të gjetur realisht një zgjidhje apo për të ngushtuar artificialisht kohën, në mënyrë që procesi të zhvendoset nga pozita te opozita. Një qasje e tillë do të ishte e papërshtatshme për një proces kaq të rëndësishëm, që lidhet drejtpërdrejt me stabilitetin politik dhe funksionimin normal të institucioneve të vendit.
Siç e thashë, ne kemi bërë një ofertë konkrete për tejkalimin e situatës. Me këtë ofertë dhe me të gjithë hapat e ndërmarrë deri më tani, mund t’ju konfirmoj se, nga sot, Partia Demokratike e Kosovës nuk do të bëhet pjesë e veprimeve të mëtejme formale në kuadër të këtij procesi”, tha ai.


























