Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka mbajtur takim me mjekët, infermierët dhe personelin shëndetësor në Vushtrri.
Hamza tha se ka disa vite që flitet për sigurimet shëndetësore, e megjithatë njerëzit, tha se nuk i kanë ato.
“Nuk i ka policia, nuk i ka ushtria, nuk i ka arsimi, nuk e ka vetë shëndetësia dhe nuk i kanë shtresat shoqërore. Duhet me ndodhë funksionalizimi i sigurimeve shëndetësore. Përveç kësaj, digjitalizimi i shëndetësisë, që nënkupton një ndërlidhje prej kontrollave ambulantore, deri te kontrollet specialistike. Krijimi i databazës për pacientin prej ambulantave deri në spitale specialistike, që kur të shkojë një pacient te mjeku, ai e ka komplet historikun e vet. Kam me e dyfishu, minimumi kam me e dyfishu buxhetin për barna”, ka thënë Hamza.
Tutje, Hamza premtoi edhe Sistemin Kombëtar të Emergjencave Mjekësore, i cili sipas tij, do të përbëhet nga një rrjet kombëtar i integruar, që përfshin qendra rajonale dhe ekipe efikase për trajtimin e situatave emergjente mjekësore në të gjithë Kosovën.
“Sëmundjet që nuk presin, sulmet e ndryshme, aksidentet, plagosjet, nuk mundet pacienti me prit, nuk ka afat ai me shku me transport deri në Prishtinë. Kjo duhet me u bë në regjionet e Kosovës”, ka thënë ai.