Kamala Harris foli për luftën në Ukrainë në një miting elektoral në Wisconsin të enjten. Zevendespresidentja foli për zgjidhjen për paqen të cilës, palët nuk i janë afruar ende.
Harris reagoi vetëm pak dite pasi rivali i saj për Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump takoi Volodymyr Zelenskyn.
Sipas Harris, Trump do të ushtrojë presion tek Ukraina për të çuar luftën drejt fundit dhe kërkesa e tij do të jete që Ukraina të lëshoje pjesë të territorit të saj.
Trump e takoi Zelenskyn javën e shkuar në New York në një nga pronat e tij, një takim që dukej i pamundur të ndodhte për shkak se Trump gjatë fushatës ka lëshuar shpesh kritika ndaj Zelenskyt.
Ndërkohë Ukrainën e vizitoi për herë të parë që prej marrjes së detyrës, Sekretari i Përgjithshëm i Natos Mark Rutte. Rute u prit në Kiev nga Volodymyr Zelensky me të cilin zhvilloi një takim. Rutte është zotuar se me marrjen e detyrës do të ndikojë në përforcimin dhe shtimin e përkrahjes së Perëndimit ndaj Ukrainës.
Ai tha se zgjedhjet presidneciale amerikane janë një moment kyç edhe për luftën në Ukrainë, por se ishte i gatshëm me cilindo nga kandidatët që mund të vijë në detyrë në Shtëpinë e Bardhë. Gjithashtu ai shprehu bindjen se Ukraina është me afër se kurrë me NATO-n.