Në përvjetorin e masakrave të kryera ndaj civilëve shqiptarë në fshatrat Celinë, Fortesë, Goden, Randobravë dhe Tërrnje, Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, vizitoi fshatin Tërrnje të Suharekës.
Nga aty ajo kujtoi të gjitha viktimat e këtyre masakrave dhe ritheksoi se institucionet shtetërore kurrë nuk do t’i harrojnë këto krime dhe nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi.
Haxhiu theksoi se këto krime ishin të organizuara dhe të udhëhequra nga aparati shtetëror serb, si pjesë e një plani të gjerë për spastrimin etnik dhe shfarosjen e shqiptarëve në Kosovë.
“Më 25 mars 1999, vetëm një ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, regjimi i Millosheviqit intensifikoi dhunën ndaj popullatës civile shqiptare në Kosovë. Në të njëjtën ditë, në disa fshatra të vendit tonë u përsërit i njëjti skenar i krimit shtetëror dhe gjenocidit. Në Celinë, Fortesë, Goden, Randobravë dhe Tërrnje u vranë rreth 200 civilë të pafajshëm, gra, fëmijë dhe pleq të pambrojtur. Familje të tëra u shuan, shtëpitë u dogjën dhe fshatrat u zbrazën nga jeta”, rikujtoi kryetarja Haxhiu.
Duke ndarë dhimbjen me familjet që kanë humbur më të dashurit e tyre dhe me ato që ende nuk i kanë gjetur trupat e të zhdukurve me dhunë, Haxhiu theksoi se Kosova nuk do t’i harrojë kurrë dhe nuk do të ndalet së kërkuari drejtësi për ta.


























