Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, e para pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe shfuqizimit të masës së përkohshme që i kishte vënë institucionit më të lartë legjislativ në vend, nisi me kujtimin që i bëri kryekuvendarja, Albulena Haxhiu demonstratave të vitit 1981.
Ajo e quajti këtë si një nga momentet më të qarta të artikulimit politik të shqiptarëve të Kosovës.
“Ato nisën nga studentët si një reagim ndaj një padrejtësie konkrete, por shumë shpejt u shndërruan në kërkesë të hapur për barazi dinjitet dhe status politik nën parullën “Kosova Republikë”, tha Haxhiu.
Kryetarja e Kuvendit, në fjalën e saj në përkujtim të kësaj dite, tha se demonstratat e vitit 1981 shënuan një kthesë në vetëdijen shoqërore në drejtimin politik, duke vendosur themelet e proceseve që do të pasonin.
“Përballë tyre shteti reagoi me masa represive duke konfirmuar hendekun midis kërkesës qytetare dhe strukturës së unitetit të asaj kohe. Demonstratat e vitit 1981 shënuan një kthesë në vetëdijen shoqërore në drejtimin politik, duke vendosur themelet e proceseve që do të pasonin. I kujtojmë me respekt gjithë ata që morën pjesë në to dhe që me qëndrimin e tyre i dhanë një drejtim të ri historisë së Kosovës”, tha Haxhiu, para se të hapte diskutimet në seancën plenare.


























