Policia e Kosovës ka realizuar një operacion të gjerë policor, operacion ky i shtrirë në disa rajone të Kosovës, Prishtinë, Gjilan, Gjakovë dhe Mitrovicë Jugu, për ndërprerjen e aktiviteteve të disa institucioneve të jashtëligjshme që vepronin si komuna, posta, banka etj, të cilat ofronin shërbime të jashtëligjshme, kundër rendit kushtetues dhe ligjeve pozitive të Republikës së Kosovës, përcjell KosovaPost.
Prokuroria Themelore në Prishtinë në anën tjetër ka deklaruar se ajo nuk e ka autorizuar Policinë e Kosovës për kryerjen e këtij operacioni, pasi, sipas saj, nuk kishte ndonjë kërkesë zyrtare.
Lidhur me këtë ka reaguar Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Në një postim në Facebook, Haxhiu e quajti skandaloze deklaratën e Prokurorisë së Prishtinës.
“Çfarë deklarimi skandaloz i Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Në vend që të vepronin shumë vite më parë, dhe t’i mbyllnin zyrat e strukturave ilegale ata nga zyrat e tyre lëshojnë komunikata kundër veprimeve të ligjshme dhe të drejta të policisë”, ka shkruar Haxhiu.
Ministrja tutje ka pyetur se në shërbim të kujt janë prokurorët.
“A ka kush që i kupton këta zyrtarë të shtetit që mbajnë emrin prokurorë? Në shërbim të kujt janë?”, ka shkruar Haxhiu.