Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një intervistë për mediumin “The Pavlovic Today” pas seancës së Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), konsderoi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, urren precencën e misionit të OKB-së në Kosovë dhe insiston vetëm në prezencën e misionit paqeruajtës të NATO-s (KFOR).
Duke komentuar deklaratën e Përfaqësueses Speciale të Sekretarit të Përgjithshëm dhe shefes së misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK), Caroline Ziadeh, në seancën e fundit, ku qortoi Kosovën duke thënë se veprimet e fundit në pjesën veriore të vendit, nuk kontribuojnë në zbutjen e tensioneve, presidenti serb vlerësoi se kryeministri Kurti urren OKB-në.
“Deklarata e Ziadeh ishte relativisht e ashpër, por e vërtetë. Ajo është shumë e shqetësuar për situatën në Kosovë. Ajo nuk mund ta fshihte. Ajo nuk donte ta fshihte. Dhe sigurisht që kjo nuk i pëlqeu Kurtit. Ai nuk donte t’i referohej fare asaj sepse Kurti e urren praninë e OKB-së në Kosovë. Ai në fakt e urren OKB-në si institucion… si organizatë”, pretendoi Vuçiç.
“Ai insistonte vetëm në NATO, NATO, NATO dhe asgjë përpos NATO-s, duke u përpjekur t’i mashtrojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) përsëri. Por unë besoj se SHBA-të nuk do ta gëlltisin këtë herë dhe do të vazhdojnë presionin e tyre të justifikuar ndaj tij për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm në terren”, shtoi ndër të tjera presidenti serb.
Në hijen e papërgjegjshme të retorikës, presidenti serb krahasoi kryeministrin Kurti me ish-udhëheqësin komunist të Shqipërisë, Enver Hoxha, duke propaganduar se politika e numrit një të Qeverisë së Kosovës ideologjikisht i përket viteve ’40, ndërsa qëllimi përfundimtar i së cilës është “dëbimi” i serbëve nga Kosova. Madje, parashikoi zgjedhje në Kosovë.
“Kurti shpreson të fitojë shumë në zgjedhjet që do t’i thërrasë shumë shpejt. Ideologjia e Kurtit është tetëdhjetë vjet e vjetër, si pasardhësi më i mirë i politikës së Enver Hoxhës, një anarkist, marksist, ideologjikisht shumë i fortë kundër Serbisë. Ai do të vazhdojë të ecë kundër popullit serb për t’i dëbuar të gjithë nga Kosova. Nuk kam asnjë dyshim për këtë”.