Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur sot mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar disa vendime.
Në mbledhjen e sotme Qeveria ka miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 07/60 të datës 27.01.2021 dhe Vendimit Nr. 08/121 të datës 25.01.2023 për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit Nr. 11/68 të datës 23.03.2022 për formimin e Komisionit për Kontrollin e Tregtisë me Mallra Strategjike.
Është miratuar edhe vendimi për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve për nënshkrimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, për Programin e parë për “Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër”.
Qeveria gjithashtu ka miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Grantit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Komunës së Prizrenit dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin “Efiçienca e Energjisë në Ndërtesa Publike në Prizren” .
Në mbledhjen e sotme janë miratuar edhe Raporti i Vlerësimit të Përshtatshmërisë së Sistemit të Financimit të Komunave për vitin 2023, si dhe Raporti Vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2023.