Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka reaguar sërish pasi kooperativa bujqësore ‘Krusha’ dhe Fahrije Hoti i quajtën të pabaza deklaratat e tij të ditëve të fundit.
Peci përmes një postimi në Facebook ka publikuar dokumentin ku shkruan se në vitin 2019, kompanisë që drejton Fahrije Hoti i është refuzuar aplikimi për grant.
“Siç edhe e kam paralajmëruar, ja dëshmia që në vitin 2019, në kohën e koalicionit PAN dhe Qeverisë Haradinaj, i refuzohet aplikimi për grant Kooperativës Bujqësore ‘Krusha’. Edhe në vitin 2019 kemi pasur media të lira, por që asnjëherë ky refuzim s’ka përbërë lajm! E që besa as deputeten Time Kadrijaj nuk e kemi parë të protestojë në Kuvend”, ka shkruar Peci.