Raportet e tronditura transatlantike ishin në qendër të fjalimit që mbajti kancelari i Gjermanisë Friedrich Merz në hapje të Konferencë së Sigurisë në Mynih. Merz: Europa në NATO “një shtyllë që të mbajë vetveten”.
Kancelari Friedrich Merz në Konferencën e Sigurisë në Mynih (MSC) u distancua nga aleatja afatgjatë SHBA-ja. Europa duhet të çlirohet nga një varësi e krijuar vet prej SHBA-së dhe “të krijojë një partneritet të ri transatlantik”, tha politikani kristiandemokrat në hapje të konferencës. Ai u shpreh, se ka një distancim në rritje në raportet me SHBA-në. Partneriteti transatlantik “me sa duket e ka humbur vetkuptueshmërinë, fillimisht në Shtetet e Bashkuara, e pastaj edhe këtu në Europë e me gjasë edhe këtu në sallë”.
Friedrich Merz paralajmëroi partnerët dhe aleatët e Gjermanisë në Evropë se liria që kontinenti ka gëzuar që nga Lufta e Dytë Botërore “nuk është më e vetëkuptueshme”.
Kancelari u bëri thirrje kombeve evropiane të “tregojnë vendosmëri për të pohuar këtë liri” mes sfidave që i paraqiten rendit botëror nga Kina, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara. Kjo do të kërkojë një gatishmëri për t’u angazhuar në fillime të reja, në ndryshim dhe po, edhe për të bërë sakrifica. Jo vetëm ndonjë ditë dikur, por tani”, tha Merz.
Ai tha se potenciali “i madh” i pashfrytëzuar i Evropës duhet të realizohet plotësisht nëse blloku do të adresojë sfidat globale. “Potenciali ynë ushtarak, politik, ekonomik dhe teknologjik është i madh, por ne nuk e kemi shfrytëzuar atë në masën e nevojshme për një kohë shumë të gjatë. Pra, gjëja më e rëndësishme është t’i thërrasim mendjes tani”, tha ai.
Bisedime për mburojë europiane bërthamore
Europa nuk duhet t’i heqë vizën NATO-s, por duhet që “në aleancë për interesin e vet të krijojë një shtyllë europiane që mban vetvehten”, tha Merz. Qëllimi duhet të jetë, vetëafirmimi “me forcë të re, respekt dhe vetrespekt të ri”. Për të arritur mëvetësinë ushtarake të Europës, Merz ka parasysh një rol më të madh europian brenda NATO-s sa u përket masave të demonstrimit të forcës parandaluese bërthamore. Ai tha, se ka zhvilluar bisedimet paraprake për këtë me presidentin francez Emmanuel Macron. Kryetari i partisë kristiandemokrate dhe njëkohësisht kancelar i Gjermanisë theksoi gjithashtu, se Gjermania do t’u përmbahet detyrimeve ligjore: Ndër to bën pjesë, që vendi nuk lejohet të posedojë armë të vetat bërthamore. Parandalimi bërthamor i NATO-s ndërkohë bazohet në pjesën më të madhe tek armët bërthamore të SHBA-së – të dislokuara në pjesën më të madhe në Europë – por edhe në Gjermani.
Merz: “Hendek i thellë” ndërmjet Europës dhe SHBA-së
Një alternativë tjetër përveç riorientimit kancelari nuk sheh: “Ky fillim i ri në çdo rrethanë është i duhuri”, tha ai. “Eshtë i duhur, në rast se SHBA vazhdojnë të shkëputen. Eshtë i duhur, për aq kohë sa sigurinë tonë nuk mund ta garantojmë me forcat tona. Dhe është i duhur, për të krijuar një partneritet transatlantik më të shëndetshëm.” Mosmarrëveshjet në raportet me SHBA-në Merz, i cili është vet një transatlantik i bindur, nuk deshi t’i anashkalojë në fjalimin e tij. “Ndërmjet Europës dhe SHBA-së është krijuar një hendek, një hendek i thellë”, tha ai. Merz nuk la të kuptohet, se ka shpresa për një përmirësim së shpejti. Përkundrazi ai vuri në dukje hamendësimin, se “më shpesh se përpara do të kemi mendime të ndryshme”.
Merz shpreh keqardhje për “kthimin tek politika e pushtetit”
Merz në Mynih konstatoi dallime parimore botkuptimi me SHBA-në. Situata aktuale botërore “karakterizohet nga një “kthim tek politika e pushtetit” dhe një “nevojë për udhëheqje të fortë”. “Edhe ne po marrim masat tona për një kohë të re”, tha kancelari. “Në këtë drejtim ne arrijmë në konkluzione të ndryshme nga ato të administratës në Uashington.” Në fjalimin e tij në Mynih kancelari iu referua edhe zëvendëspresidentit të SHBA-së JD Vance, i cili në fjalimin e tij vitin e kaluar (2025) në Koncerencën e Sigurisë në Mynih kritikoi ashpër Gjermaninë dhe Europën për me gjasë kufizimin e lirisë së shprehjes së mendimit. Këto deklarata një vit më parë shkaktuan shok në Europë.
Merz në fjalën e tij u distancua qartazi nga thelbi i ideologjisë së lëvizjes MAGA (“Make America Great Again”) të frymëzuar nga presidenti i SHBA-së Donald Trump. “Lufta kulturore e lëvizjes MAGA nuk është lufta jonë”, tha kancelari. Më tej ai theksoi: “Liria e fjalës tek ne, merr fund kur kjo fjalë drejtohet kundër dinjitetit njerëzor dhe ligjit themelor. Ne nuk besojmë tek doganat dhe proteksionizmi, por tek tregtia e lirë. Ne u përmbahemi Marrëveshjes për Klimën dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë, sepse ne jemi të bindur, që: detyrat globale do t’i zgjidhim vetëm bashkarisht.”


























