I dërguari i Kombeve të Bashkuara për Sirinë ka bërë thirrje për një fund të shpejtë të sanksioneve perëndimore pas rrëzimit të presidentit Bashar Al Assad. Qeveria siriane ka qenë nën sanksione të rrepta nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe vende të tjera për vite me rradhë si rezultat i përgjigjes brutale të Assadit ndaj protestave paqësore anti-qeveritare në vitin 2011 dhe që më vonë u shndërruan në një luftë civile.
Ndërkohë një javë pas rënies së regjimit të Assadit, sirianët po kthehen në shkolla dhe universitete me një ndjenjë lirie. I dërguari i OKB-së në Siri, Geir Pedersen bëri thirrje për heqjen e shpejtë të sanksioneve perëndimore kundër Sirisë.
“Ne shpresojmë të shohim një fund të shpejtë të sanksioneve në mënyrë që të mund të shohim me të vërtetë një plan për ndërtimin e Sirisë”, tha ai.
Pedersen udhëtoi për në Damask për t’u takuar me zyrtarë nga qeveria e re e përkohshme e krijuar nga ish-forcat rebele që rrëzuan Asadin, të udhëhequr nga grupi militant islamik Hayat Tahrir al-Sham (HTS).
Zyrtarët në Uashington thonë se administrata e Presidentit Biden po shqyrton mundësinë e heqjes së përcaktimit “organizatë terroriste” për grupin. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të shtunën se zyrtarët kanë qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me grupin.
Gjatë fundjavës, Blinken mori pjesë në një takim në Jordani, ku tha se siguroi mbështetjen e 12 ministrave të jashtëm nga Lidhja Arabe, Turqia dhe zyrtarë të lartë nga Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara për mënyrën sesi Siria duhet të drejtohet pas dekadave të qeverisjes së familjes Assad.
Ata ranë dakord që qeveria e re duhet të respektojë të drejtat e pakicave dhe grave, të mos lejojë që grupet terroriste të fitojnë terren, të sigurojnë që ndihma humanitare të arrijë tek ata në nevojë dhe te shkatërrojnë çdo armë kimike të mbetur të epokës së Assadit. Sektretari Blinken ka premtuar se Shtetet e Bashkuara do të njohin dhe mbështesin një qeveri të re që përmbush këto parime./voa