Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se nga data 9 dhjetor 2024, uji i furnizuar nga kanali Ibër-Lepenc mund të përdoret për pije.
Ky vendim vjen pas një monitorimi intensiv që nga ngjarja e 29 nëntorit dhe restrikcioneve të aplikuara për të sanuar situatën në zonat e shërbimit të KRU “Mitrovica” dhe KRU “Prishtina”, transmeton KosovaPost.
Sipas IKSHPK-së, janë analizuar 100 mostra për parametra fiziko-kimikë, 100 për bakteriologji dhe 13 për metale të rënda, dhe rezultatet nga të gjitha impiantet (Shipol, Balincë, Drenas dhe Shkabaj) janë brenda standardeve për cilësinë e ujit të pijshëm.
Pas aktivizimit të sistemit By-pass dhe përmirësimit të furnizimit, restrikcionet janë hequr që nga 7 dhjetori.
Tashmë, furnizimi i konsumatorëve është i garantuar për nevoja higjieniko-sanitare dhe konsum njerëzor.
IKSHPK ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin gjatë kësaj periudhe dhe ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me KRU.