Irlanda, shteti i cili nga korriku i këtij viti do të marrë Presidencën e radhës të BE-së, ka konfirmuar mbështetjen ndaj Kosovës në rrugën e saj evropiane, transmeton KosovaPost.
Këtë konfirmim ia ka dhënë ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë e Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ambasadori jorezident i Irlandës, Ragnar Almqvist.
Kusari-Lila që ishte nikoqire e takimit, tha se me diplomatin irlandez përveç konfirmimit të mbështetjes së vazhdueshme të Irlandës për aspiratat e Kosovës, biseduan edhe për avancimin e shtetit në rrugën drejt Bashkimit Evropian, në veçanti gjatë Presidencës së Irlandës.
“Ambasadori Almqvist konfirmoi se Irlanda do të vazhdojë të mbështesë përparimin e agjendës evropiane të Kosovës”, shkroi ajo.
Përveç kësaj, bëhet e ditur se të dy bashkë kanë diskutuar edhe për mundësitë e bashkëpunimit në zhvillimin e zonave industriale në Kosovë, sipas Kusari-Lilës, duke u bazuar në përvojën e Irlandës në këtë fushë, si dhe për mundësinë që një grup ekspertësh nga Irlanda të vizitojnë Kosovën për të ndarë përvojën e tyre në krijimin dhe zhvillimin e zonave industriale të gjelbra.
“Në interes të veçantë për ne është koncepti i ndërtimit të parqeve të gjelbra industriale, si një qasje moderne për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm”.
Temë tjetër që është prekur në këtë takim, thuhet të ketë qenë edhe mundësia e tërheqjes së investitorëve irlandezë në Kosovë, që Kusari-Lila e quan si një hap të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës.


























