Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, tha se Roma mbështet përpjekjet e Ankarasë për negociata për zgjidhjen e konfliktit që vazhdon mes Rusisë dhe Ukrainës.
Tajani, i cili erdhi për vizitë pune në Türkiye, foli për Anadolu Agency (AA) lidhur me marrëdhëniet e dy vendeve dhe zhvillimet aktuale.
Në vlerësimin e tij se cilat janë objektivat më ambicioze para marrëdhënieve Türkiye-Itali, Tajani tha se marrëdhëniet e dy vendeve që “bazohen në lidhjet kulturore dhe në një klimë të përbashkët mesdhetare”, janë përmisuar me kohë falë “një dialogu politik frytdhënës, marrëdhënieve ekonomike-tregtare që afrohen gjithmonë e më shumë dhe shkëmbimeve aktive mes shoqërive civile”.
Tajani tha se tregtia dypalëshe ka arritur shifra rekord në vitet e fundit dhe se presin që këtë vit ajo të arrijë në 25 miliardë dollarë.
“Me Türkiye-n, që është partneri kryesor ekonomik dhe tregtar i Italisë, ne ndajmë plotësisht objektivin për të arritur një tregti dypalëshe prej 30 miliardë dollarësh në vitet e ardhshme. Falë pranisë së më shumë se 1.500 kompanive italiane në vend, ne duhet të punojmë për të vlerësuar mundësitë që ofron mungesa e ‘zinxhirëve të furnizimit’ në mbarë botën”, u shpreh ai.
Duke theksuar se Italia dhe Türkiye ndajnë një vizion të përbashkët në çështjet e sigurisë, Tajani nënvizoi se që të dy vendet janë të vendosura për të forcuar stabilitetin ndërkombëtar dhe rajonal.
“Ne ndajmë pikëpamje të përbashkëta për menaxhimin e migracionit në rajonin e Mesdheut dhe jemi të gatshëm të bashkëpunojmë më ngushtë për të luftuar terrorizmin në të gjitha format dhe manifestimet e tij, si dhe trafikimin e qenieve njerëzore dhe për të ndalur daljet e paligjshme”, tha Tajani.
Ai tha se bashkëpunimi kulturor mes dy vendeve ka fituar një vrull pas pandemisë, kryesisht falë marrëveshjeve të bashkëpunimit të nënshkruar në kuadër të Bashkimit Evropian (BE). Më tej Tajani theksoi se numri i studentëve turq që studiojnë në universitetet italiane është rritur ndjeshëm.
“Türkiye luan një rol të rëndësishëm në fillimin e procesit të negociatave drejt paqes”
Në pyetjen për rolin ndërmjetësues të Türkiye-s në luftën Rusi-Ukrainë, Tajani deklaroi:
“Roma sot mbështet përpjekjet për negociata të Ankarasë për të zgjidhur konfliktin që vazhdon midis Rusisë dhe Ukrainës. Türkiye falë vendndodhjes së saj gjeostrategjike dhe marrëdhënieve të saj me të gjitha palët, luan një rol të rëndësishëm në fillimin e procesit të negociatave drejt paqes. Është e rëndësishme që përpjekjet për të bindur Rusinë të vazhdojnë, derisa pala ruse të bisedojë rreth kushteve të armëpushimit dhe më pas derisa të jetë e hapur për negociata me Kievin për një paqe të drejtë”.
Duke nënvizuar se nuk mund të ketë paqe pa drejtësi, Tajani u shpreh: “Türkiye së bashku me lojtarët e tjerë ndërkombëtarë, sigurisht që mund të bëjnë një ndryshim në nivelin diplomatik. Marrëveshja e drithit ishte shembulli më i rëndësishëm i kësaj dhe Italia e ka vlerësuar rezultatin pozitiv të procesit të lehtësimit nën udhëheqjen e Ankarasë”.
Tajani rikujtoi se për të mbështetur nismën e drithit në Ukrainë, Italia në nëntor 2022 nënshkroi rifinancimin e fondit dypalësh të situatës emergjente në shumën prej 2 milionë euro për Programin Botëror të Ushqimit (WFP) dhe se ky donacion i drithit i bërë për vendet me pasiguri akute ushqimore është një tregues i vullnetit të përbashkët të dy vendeve për të parandaluar dëmtimin nga pasojat e luftës Rusi-Ukrainë.
Ministri i Jashtëm italian Tajani po ashtu deklaroi se Italia me mbështetjen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) filloi një “Dialog ministror” për çështjen e Sigurisë Ushqimore në Mesdhe. Ndër të tjera, Tajani shtoi se Türkiye pranoi të bashkëkryesojë këtë iniciativë për përballimin e vështirësive të hasura për shkak të ndërprerjeve në tregtinë globale të mallrave të shkaktuara nga lufta, si dhe të luajë një rol aktiv në përcaktimin dhe zbatimin e bashkëpunimit me vendet e Mesdheut.
Tajani nënvizoi se kjo është “një provë tjetër” e forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Italia dhe Türkiye ndajnë përkushtim të fortë për sovranitetin e Libisë”
Në pyetjen se si konvergjojnë Türkiye dhe Italia në një terren të përbashkët për kapërcimin e ngërçit politik në Libi, Tajani u përgjigj:
“Stabiliteti në Libi, krahas gjithë Mesdheut, është shumë i rëndësishëm për stabilitetin e krahut jugor të NATO-s. Italia dhe Türkiye ndajnë një përkushtim të fortë për sovranitetin, integritetin territorial dhe unitetin kombëtar të Libisë. Vendet tona janë ndër partnerët më të mëdhenj ekonomikë të Libisë dhe që të dy duam të shohim që më në fund Libia ka arritur stabilitetin dhe të jetë e begatë”.
Duke vënë në dukje se shumë herë kanë bërë thirrje për zgjedhje të lira dhe të drejta në Libi, kryediplomati italian theksoi se Türkiye dhe Italia mbështesin plotësisht përpjekjet e Kombeve të Bashkuara për të “lehtësuar një zgjidhje politike gjithëpërfshirëse për Libinë”.