Analisti serb, Dushan Janiq në Euronews Albania, ka komentuar takimet në Bruksel të Kurtit dhe Vuçiqit, në kuadër të planit për normalizimin e marrëdhënieve. Sipas tij, tashmë çështja është si do reagoj presidenti serb dhe a do të vijojë ai në rrugën e dialogut apo do të përshkallëzojë konfliktin në Kosovë.
Analisti serb, Dushan Janiq, ka theksuar se ndërkombëtarët duhet të jenë tw pranishëm në rajon për menaxhimin e situatës, pasi ka indicie për një seri incidentesh dhe jo vetëm në Kosovë.
Sipas tij, në rajon dihet influenca e Putin, ku janë parë dhe mercenarë të Wagner, prandaj ai apeloi për vigjilencë dhe menaxhim të konflikteve të mundshme nga ndërkombëtarët dhe jo nga aktorët lokalë.
“Ne jemi dëshmitarë të një metodologjie të gabuar të përsëritur, patëm dhe një deklaratë të liderëve evropianë dhe ata duan të inkurajojnë Kurtin dhe Vuçiqin të zbatojnë marrëveshjet. Ata po bëjnë thirrje që të diskutohet akoma drafti i propozuar. Presidenti Vuçiq e ka bërë të qartë se çdo gjë mund të vihet në tavolinë përveç njohjes së Kosovës. Lajm i mirë është puna që delegacionet e Britanisë dhe BE po bëjnë që të çmilitarizohet situata dhe tensionet të ulen. Për sa i përket Vuçiqit, ai është duke bërë të njëjtën gjë dhe duke zbatuar të njëjtin strategji si Kurti. Vuçiq vazhdon me të njëjtën retorikë që thotë se nuk do ta njohë Kosovën. Tani çështja është si do reagojë Vuçiq dhe opinion publik në Serbi sidomos pas sulmit terrorist në Banjskë. Tani çështja është që Vuçiç do të vazhdojë në bisedime për të arritur në një zgjidhje paqësore apo do të vijohet me destabilizim dhe një përplasje të armatosur. Shpresoj që menaxhimi këtij konflikti të jetë në duart e ndërkombëtarëve”, ka theksuar Janiq, raporton Euronews Albania.
Ai ka theksuar se konfikti mund të mos jetë domosdoshmërisht mes Serbisë dhe Kosovës, por mund të kemi një seri incidentesh.
“Ne pamë qartësisht që sulmi në Banjskë u bë nga paramilitarë serbë, por dhe në manastirin e Zveçanit kemi parë xhihadistë islamikë, ashtu sikurse dihet ndikimi rus dhe prania e Wagner, ndaj në këtë aspekt është mirë që menaxhimi i konflikteve të bëhet nga ndërkombëtarët”, ka deklaruar Janiq.


























