Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci, ka reaguar pas arsyetimit të Serbisë lidhur me afrimin e trupave të saj 50 metra nga vija kufitare me territorin e Kosovës, ku shteti fqinj tha se kjo ishte bërë për pengimin e prerjes ilegale të pyjeve, përcjell KosovaPost.
“Në komunikatën e Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë në lidhje me aktivitetet e ushtrisë serbe në afërsi prej 50 metra nga vija kufitare me territorin e Kosovës, një aktivitet tipik ushtarak, mundohet të kamuflohet si aktivitet për pengimin e prerjes ilegale të pyjeve”, shkroi ai.
“Prej kur paska filluar ushtria serbe të kryej detyra të ruajtjes së pyjeve dhe për më tepër me ushtarë të armatosur me armë dhe pajisje taktike si dhe me automjete të blinduara ushtarake? Sepse sipas ligjit të pyjeve të Republikës së Serbisë, konkretisht në nenin 40 të tij, është përcaktuar qartë se rojet e pyjeve në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave janë të vetmit zyrtarë për ruajtjen e pyjeve dhe pengimin e prerjes ilegale të tyre brenda territorit të Serbisë”, shtoi ministri.
Maqedonci tha se Ministria e Mbrojtjes së Serbisë përpiqet që që prezencën e shtuar ushtarake të ushtarëve serbë në afërsi të territorit të Kosovës ta arsyetoj duke përdorur justifikime tërësisht të paqëndrueshme.
“Në vazhdimësi, Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Serbisë përpiqet që prezencën e shtuar ushtarake të ushtarëve serbë në afërsi të territorit të Republikës së Kosovës, ta arsyetoj duke përdorur justifikime tërësisht të paqëndrushme, siç përpiqet që edhe ushtrimet me avionë luftarakë sulmues dhe dronë vetvrasës sulmues, siç ishte ushtrimi “Vihor 2024” në Peshter, t’i paraqes si përgatitje ushtarake për mbrojtje të territorit”.