Sot do të promovohet libri për fëmijë dhe të rritur me temë festat e fundvitit. Titullohet “E bredhi ku mbeti?”, i autores Nerimane Kamberi, e cila tha se e ka lidhur me vitin olimpik, me këto vajza pionere në disiplinat e tyre, Majlinda Kelmendi në xhudo, Uta Ibrahimi në alpinizim dhe Kiana Kryeziu në skijim, dhe duke treguar se “kam dashur vërtet të tregoj krenarinë që kemi me këto vajza, veç kësaj të tregoj edhe bukuritë natyrore të Kosovës dhe trashëgiminë kulturore”.
Ky libër, i cili është ilustruar nga Nita Qahili, prezanton një botë të pasur dhe imagjinative, ku tri vajzat bëjnë një rrugëtim nëpër qytete dhe peizazhe të Kosovës të mbuluar me borë për t’i shpëtuar festat e fundvitit.
Kamberi në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK theksoi se ilustrimet janë të shkëlqyeshme, të mrekullueshme dhe se janë bërë nga Nita Qahili. Dhe, sipas saj, ka qenë një bashkëpunim shumë i mirë mes tekstit dhe imazhit apo ilustrimeve.
“Këtu kam dashur të tregoj se sa i kemi vajzat e suksesshme në sport, por edhe në lëmenjtë e tjerë”, tha ajo.
Ajo shtoi se këto janë supervajza, superheroina dhe se ka dashur t’i befasoj e t’u bëjë si dhuratë që të gëzohen.
“Vërtet dua që ata që e kanë në duar këtë libër të ndiejnë magjinë e festave, magjinë e borës”, shtoi Kamberi.
Promovimi do të bëhet soz në Galerinë Qahili në Prishtinë, nga ora 19:30.