Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq ka reaguar të dielën, pasi presidenti serb, Aleksander Vuçiq mandatoi ish-ministri serb të Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq për formimin e qeverisë së re serbe. Kandiqi në platformën X thotë se Vuçeviq para se të bëhet kryeministër, duhet të tregojë vendvarrimin e trupave të Rukie dhe Feriz Krasniqit të vrarë në Kosovë.
“Le të kërkojmë nga shefi i ushtrisë serbe, gjenerali Milan Mojsiloviq dhe ministri i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, të zbulojnë vendin ku u varrosën trupat e Rukije dhe Feriz Krasniqit, të vrarë nga pjesëtarët e Ushtrisë së Jugosllavisë më 27 mars 1999 në fshatin Sushicë”, ka shkruar ajo.Më herët Kandiq ka shkruar për dinjitetin e të pagjeturve.
“Feriz dhe Rukije Krasniqi, fëmijët e tyre kanë pritur 25 vjet që Ushtria e Serbisë të zbulojë vendin ku ushtarët i varrosën trupat e prindërve të tyre, të cilët i vranë më 27 mars 1999, në fshatin Sushicë afër Prishtinës, dhe më pas i dogjën trupat e tyre. Komandanti i njësitit të UJ-së dhe ushtarët janë dënuar në vitin 2003, por nuk kanë treguar vendin e varrimit”, ka deklaruar Kandiq.
Kujtojmë se Millosh Vuçeviq, ish-ministri serb i Mbrojtjes, njëherësh udhëheqës i partisë në pushtet në Serbi, është mandatuar për formimin e Qeverisë së re të Serbisë. Në vendimin, që u nënshkrua nga Vuçiq, u tha se “Vuçeviq deri më tani ka kryer me përgjegjësi detyrat e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes”.