Aktivistja serbe Natasha Kandiq ka reaguar lidhur me ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, e cila ka nxitur reagime të forta në publik për, siç thuhet, shtrembërim të historisë.
Në një lidhje direkte në emisionin “Rubikon”, Kandiq theksoi rëndësinë e paraqitjes së fakteve të verifikueshme dhe të bazuara në dëshmi të sakta.
Ajo u shpreh se është thelbësore që të publikohen të dhëna të sakta që shpjegojnë qartë statusin e viktimave, duke përfshirë dallimin mes të burgosurve dhe personave të tjerë të përfshirë në konflikt.
“Është shumë e rëndësishme të zbulohen të dhëna të cilat janë me të vërtetë të verifikueshme dhe që dëshmojnë se çka nënkupton i burgosur, çka nënkupton privimi nga liria, si dhe mënyra se si individët paraqiten në databaza apo lista, shpeshherë si të ishin ushtarë”, deklaroi ajo.
Kandiq kritikoi gjithashtu mënyrën e realizimit të ekspozitës, duke vlerësuar se mungon një qasje profesionale në prezantimin e materialeve.
Sipas saj, ekspozita nuk duhet të fokusohet vetëm në shifra, por në identitetin dhe historitë individuale të viktimave.
“Ajo që kam parë në atë ekspozitë, jo vetëm për Dubravën, por edhe për rastet e tjera, tregon një mungesë të plotë të njohurive se si duhet të ndërtohet një ekspozitë. Nuk duhet të përqendrohet vetëm në numra, por edhe në emra. Është problematike që të paraqitet se në burgun e Dubravës janë vrarë 48 persona të armatosur”, u shpreh ajo.
Në fund, ajo ngriti pyetje mbi qëllimin e ekspozitës, duke theksuar se mungon sqarimi mbi rrethanat e vrasjeve dhe përgjegjësinë për to.
“Pse të organizohet një ekspozitë nëse nuk tregohet se si kanë pësuar personat dhe kush është përgjegjës, kur dihet se në Dubravë dhe në vende të tjera kanë ndodhur ngjarje të tmerrshme”, përfundoi Kandiq.


























