I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, ka thënë se presin nga Qeveria e Kosovës që ta dërgojë çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese.
Këto komente Kasanof i bëri në një takim me gazetarë kosovarë, ku i pranishëm ishte edhe gazetari Adriatik Kelmendi, teksa tha se Shtetet e Bashkuara presin nga Kosova dhe Serbia që t’i përmbushin të gjitha angazhimet e tyre që i kanë marrë në dialog.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten një mbështetëse e vendosur e dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ne punojmë ngushtë dhe në koordinim me z. Lajçak dhe Quint-in”.
“Është e rëndësishme, në fakt, Shtetet e Bashkuara presin që Serbia dhe Kosova t’i përmbushin të gjitha angazhimet e tyre përkatëse të marra në dialog, përfshirë Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit. Kjo, natyrisht përfshin dërgimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës”, tha Kasanof, njofton Klankosova.tv.