Sipas burimeve, Vance ka vënë në dyshim mënyrën se si Netanyahu e kishte paraqitur si shumë të mundshme një ndryshim regjimi në Iran.
“Para luftës, Bibi ia kishte prezantuar presidentit si diçka të lehtë, duke e bërë ndryshimin e regjimit të dukej shumë më i arritshëm sesa ishte realisht. Zëvendëspresidenti kishte një pasqyrë të qartë për disa nga këto deklarata”, citohet të ketë thënë një zyrtar amerikan për Axios, duke përdorur nofkën e Netanyahut.
Pas telefonatës, një tjetër zyrtar amerikan deklaroi se Izraeli po minon rolin e Vance, i cili ka marrë një rol kyç në përpjekjet për arritjen e një armëpushimi me Iranin. Vance, i njohur për qëndrimet e tij kundër luftërave të zgjatura jashtë vendit, është i përfshirë në negociata së bashku me negociatorët amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner.
I njëjti burim akuzoi Izraelin se qëndron pas raportimeve sipas të cilave Irani kërkon të negociojë drejtpërdrejt me Vance, duke e konsideruar atë më fleksibël për arritjen e një marrëveshjeje për përfundimin e konfliktit.
“Është një operacion izraelit kundër JD-së”, tha zyrtari amerikan për Axios, ndërsa mediumi thekson se nuk ka prova konkrete për një pretendim të tillë.
Në të njëjtin raportim citohet edhe një zyrtar tjetër amerikan, sipas të cilit Vance shihet si figura më e mundshme për të arritur një marrëveshje me Iranin.
“Nëse iranianët nuk arrijnë të bëjnë marrëveshje me Vance, atëherë nuk do të arrijnë me askënd. Ai është opsioni më i mirë që kanë”, deklaroi një zyrtar i lartë amerikan për Axios./euronews

























