Korporata Energjetike e Kosovës (KEK Sh.A.) ka shënuar rritje të konsiderueshme të prodhimit të energjisë elektrike gjatë muajve dhjetor 2025 dhe janar 2026, falë operimit stabil dhe menaxhimit të koordinuar të kapaciteteve prodhuese, veçanërisht përmes funksionimit njëkohësisht të tri njësive të Termocentralit “Kosova A” transmeton KosovaPost.
Sipas njoftimit të KEK-ut, në dhjetor 2025 prodhimi arriti në 127% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit paraprak, duke shënuar rritje prej 27%, ose 46,539 MWh më shumë energji elektrike.
Ndërkohë, gjatë janarit 2026, prodhimi arriti në 132.9% të nivelit të janarit të vitit të kaluar, që përkthehet në rritje prej 32.9%, respektivisht 63,003 MWh më shumë.
Në total, gjatë këtyre dy muajve KEK ka prodhuar rreth 110 mijë MWh më shumë energji elektrike krahasuar me periudhën përkatëse të viteve paraprake, duke ndikuar drejtpërdrejt në përmbushjen e kërkesës për energji në vend.
Nga KEK theksojnë se këto rezultate janë dëshmi e punës profesionale dhe përkushtimit të stafit teknik dhe operativ, ndërsa korporata mbetet e përkushtuar për operim të sigurt, efikas dhe transparent në funksion të interesit publik dhe forcimit të sigurisë energjetike të Kosovës, njofton KEK.


























