Prokuroria Themelore në Gjakovë, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj të pandehurit me inicialet N.Z., si dhe ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Sipas Prokurorisë, rasti ka ndodhur më 16 mars 2026, rreth orës 05:20, në rrugën “Vëllezërit Frashëri”, në një lokal në Gjakovë, ku i pandehuri dyshohet se me dashje ka privuar nga jeta viktimën me inicialet R.B.
Në njoftim thuhet se pas një mosmarrëveshjeje mes palëve, i pandehuri dyshohet se ka shtënë disa herë me armë zjarri pistoletë e llojit TT, kalibër 7.62×25 mm në drejtim të viktimës. Si pasojë e plagëve të marra, viktima ka ndërruar jetë në afërsi të vendit të ngjarjes.
“Po ashtu, nga të shtënat është rrezikuar jeta e personave të tjerë të pranishëm. I dëmtuari tjetër, me inicialet E.M., ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, ndërsa i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes”, thuhet në njoftim.
Prokuroria njofton se me këto veprime, i pandehuri N.Z. dyshohet për kryerjen e veprës penale “Vrasja e rëndë”, sipas nenit 173 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas nenit 366 të po këtij kodi.
I njëjti, që nga 16 marsi 2026, me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndodhet nën masën e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa pritet vendimi i gjykatës lidhur me kërkesën për paraburgim.


























