Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj 22 kryesuesve, të dyshuar për falsifikim të rezultateve të votimit gjatë procesit të numërimit të votave brenda subjekteve politike për zgjedhjet e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, transmeton KosovaPost.
Sipas njoftimit nga kjo prokurori, veprimet janë realizuar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjakovë, pas dyshimeve për parregullsi gjatë numërimit të votave në Komunën e Gjakovës.
Në kuadër të hetimeve, janë intervistuar gjithsej 22 kryesues, të cilët dyshohen për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, e paraparë nga neni 216, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Me vendim të Prokurorit të Shtetit, 22 kryesuesit janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, ndaj të cilëve Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit pranë gjykatës kompetente”, thuhet në njoftim.
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka theksuar se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe se do t’i trajtojë me prioritet të gjitha veprat penale që cenojnë votën e lirë dhe demokratike të qytetarëve.


























