Këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, Milot Cakaj, të mërkurën pas një vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, është emëruar si zëvendës-guvernator në këtë institucion financiar.
Përzgjedhja e këshilltarit politik të Kurtit si zëvendës-guvernator në BQK, sipas arsyetimit të këtij institucionit, është bërë përmes një procesi konkurrues dhe meritor, me propozim të Guvernatorit, Ahmet Ismaili.
“Zëvendësguvernatorët e emëruar znj. Nesrin Shileku – Shala dhe z. Milot Cakaj do të jenë përgjegjës primar për fushën e Mbikëqyrjes Financiare, Praktikat e Tregut, Rishqyrtimin dhe Shërbimet e Përgjithshme. Të tre zëvendësguvernatorët së bashku me Guvernatorin përbëjnë Bordin Ekzekutiv, vendimet e të cilit janë kolegjiale”, thuhet në njoftimin e BQK-së.
Cakaj nuk është i vetmi i cili si i afërt me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin e partinë në pushtet Lëvizjen Vetëvendosje, është emëruar në pozita kyçe në BQK.
Në shkurt të vitit të kaluar Bashkim Nurboja ishte zgjedhur Kryetari i Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës.
Zgjidhja e Nurbojës si Kryetar i Bordit të BQK-së ishte pasuar me kritika, pasi i njëjti ka prapavijë politike.
Nurboja ka qenë kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje – partisë në pushtet – për kryetar të Pejës në vitin 2017 dhe kandidat për deputet të Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet e vitit 2019.
Në Qeverinë Kurti I, Nurboja ishte emëruar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, si zëvendësministër në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal./Albanianpost