28 të plagosur nga sulmi rus në Kharkiv, Ukraina rrëzon dronë dhe po përballet me ndihmën ushtarake të Koresë së Veriut ndaj Rusisë, gjë që ka detyruar atë të kërkojë ndihmë edhe ndaj aleatëve.
Në një sulm me bombë nga Rusia ka goditur një ndërtesë shumëkatëshe në qytetin Kharkiv të Ukrainës, duke plagosur të paktën 28 persona, përfshirë tre fëmijë.
Ndërkohë, forcat ajrore ukrainase raportojnë se kanë rrëzuar 10 nga 14 dronët dhe një nga tre raketat e lëshuara nga Rusia, ndërsa, pjesa tjetër e tyre ka goditur periferitë e Odesës, duke shkaktuar dy viktima.
Në sulme të tjera në jug, juglindje dhe lindje të Ukrainës, bombardimet ruse kanë vrarë të paktën pesë persona. Këto sulme e njëpasnjëshme po ngjallin tensione në rajon, ndërkohë që qeveritë perëndimore po vazhdojnë të përballen me kërcënimet e Moskës lidhur me armatimin e Ukrainës dhe lejimin e përdorimit të armëve me rreze të gjata brenda territorit rus. Kjo ka sjellë paralajmërime të ashpra edhe nga i pari i Rusisë, Putin.
Zyrtarët ukrainas kanë ngritur shqetësime për ndihmën ushtarake të Koresë së Veriut ndaj Moskës zyrtare, duke e cilësuar këtë si një sfidë serioze në fushën e betejës. Dërgesat e municioneve dhe bombave të drejtuara po ndihmojnë Rusinë në ofensivën e saj kundër Ukrainës.
Nga zhvillime të tjera, Polonia ka propozuar që të ndërpriten përfitimet e mirëqenies për burrat ukrainas të cilët janë të aftë për shërbim ushtarak mirëpo gjendën në Evropë, kësisoj, për t’i inkurajuar ata të kthehen dhe të luftojnë në Ukrainë, për mbrojtjen kombëtare të vendit të tyre./rrk